Secondary Adv

Qira me të drejtë blerjeje dhe kredi me interes 0 për qind, kush përfiton nga skema e re e strehimit

Qeveria propozon kredi me interes 0%, qira me të drejtë blerjeje dhe subvencione për familjet që nuk përballojnë strehimin.

Qeveria ka propozuar ndryshime në ligjin për strehimin social, duke parashikuar programe të reja për të lehtësuar aksesin në banesa për familjet dhe individët që nuk përballojnë çmimet e tregut. Ndër instrumentet kryesore të projektligjit janë programi “Qira me të drejtë blerjeje”, kreditë me interes 0% dhe garancitë shtetërore për familjet që kanë mundësi të shlyejnë një kredi, por nuk disponojnë kolateralin ose shumën e nevojshme për pagesën fillestare.


Projektligji zgjeron kategoritë përfituese të programeve të strehimit të përballueshëm, duke përfshirë familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të rinjtë në fillim të karrierës, çiftet dhe familjet e reja, prindërit e vetëm me fëmijë të mitur, punonjësit e shërbimeve publike, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët e rikthyer nga emigracioni. Ndryshimet prekin disa dispozita të ligjit aktual, ndërsa ruajnë skemën ekzistuese të subvencionimit të qirave sipas çmimeve të tregut.


Qira me të drejtë blerjeje, pagesat mujore do të llogariten në çmimin e banesës

Një nga risitë kryesore është programi “Qira me të drejtë blerjeje”, i cili krijohet përmes nenit 21 të projektligjit, me shtimin e nenit 43/1. Sipas këtij programi, përfituesit do të kenë mundësi të përdorin një banesë në pronësi të AKTSS-së kundrejt një pagese periodike, ndërsa një pjesë e pagesave të qirasë mund të llogaritet më pas si pjesë e çmimit të blerjes së banesës.


Projektligji përcakton se kalimi i një banese nga programi i banesave sociale me qira në programin “Qira me të drejtë blerjeje” do të lejohet vetëm kur ky ndryshim përputhet me nevojat e identifikuara për strehim dhe nuk cenon nevojat për banesa sociale me qira.


Kredi me interes 0 për qind dhe garanci për familjet pa kolateral

Një tjetër instrument i parashikuar në projektligj është mundësia e përfitimit të kredive me interes 0%, të subvencionuara nga FSKS-ja dhe/ose buxheti i shtetit, nëpërmjet AKTSS-së. Kjo masë parashikohet në nenin 24 të projektligjit dhe synon të mbështesë individët dhe familjet që plotësojnë kushtet e programeve të strehimit.


Po në këtë nen, përmes shtimit të nenit 47/2, parashikohet edhe garancia e pjesshme për individët dhe familjet që kanë aftësi financiare për të shlyer kredinë, por nuk disponojnë kolateralin ose kontributin fillestar të kërkuar nga institucioni financiar. Garancia do të mbulojë një pjesë të principalit të kredisë dhe do të zbatohet nëpërmjet marrëveshjeve ndërmjet AKTSS-së dhe institucioneve financiare.


Kush përfiton nga programet e reja të strehimit?

Neni 6 i projektligjit parashikon shtimin e nenit 13/1, i cili përcakton kategoritë dhe subjektet përfituese të strehimit të përballueshëm. Sipas draftit, përfitues mund të jenë individët dhe familjet që nuk disponojnë banesë në pronësi, janë në kushte të papërshtatshme strehimi ose jetojnë në banesa jashtë standardeve për banim, si dhe ata që nuk kanë akses në tregun e lirë të qirasë apo të blerjes dhe plotësojnë kriteret e të ardhurave.


Programet synojnë familjet me të ardhura sipas përcaktimeve të ligjit, familjet me të ardhura të mesme që nuk përballojnë çmimet e blerjes ose të qirasë, të rinjtë në fillim të karrierës dhe familjet e reja ku mosha e anëtarit më të madh nuk është më shumë se 40 vjeç. Përfshihen gjithashtu familjet njëprindërore me fëmijë të mitur në ngarkim, punonjësit e shërbimeve publike dhe profesioneve prioritare, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre, si dhe qytetarët e rikthyer nga emigracioni që plotësojnë kushtet e programit.


Kufijtë e të ardhurave dhe mënyra e kategorizimit të përfituesve do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për rrjedhojë, kriteret e detajuara financiare për përfitimin nga programet e reja mbeten për t'u përcaktuar.


Subvencionimi i qirasë deri në 100 për qind, familjet nuk duhet të paguajnë mbi 25 për qind të të ardhurave për diferencën

Projektligji ruan dispozitat ekzistuese për subvencionimin e qirave sipas çmimeve të tregut. Neni 33 i ligjit aktual parashikon se vlera e subvencionit mund të arrijë deri në 100% të qirasë mesatare të banesave në tregun e lirë për njësinë përkatëse të vetëqeverisjes vendore.


Vlera maksimale e subvencionit përcaktohet çdo vit, bazuar në të dhënat e vitit të mëparshëm, dhe miratohet me vendim të këshillit bashkiak. Në rastet kur një familje zgjedh një banesë me qira mbi kufirin e përcaktuar për subvencionimin, diferenca duhet të mbulohet nga vetë familja, por kjo pagesë nuk mund të kalojë 25% të të ardhurave të saj. Mënyra e llogaritjes së subvencionit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.


Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të mëparshëm të reformës së strehimit, deklaroi se subvencionimi i qirasë parashikohet të arrijë deri në 50% të vlerës për çiftet e reja dhe emigrantët që rikthehen në Shqipëri. Sipas tij, skema do të përfshijë banesa me qira deri në 400 euro në muaj, ndërsa në vitin e parë parashikohet të përfitojnë 3 mijë individë. Mbështetja shtetërore do të jetë deri në 200 euro në muaj për përfitues.


Qiratë në Tiranë arrijnë mesatarisht 721 euro në muaj

Propozimet për strehimin e përballueshëm vijnë në një periudhë kur çmimet e qirave, veçanërisht në Tiranë, mbeten të larta në raport me të ardhurat. Sipas të dhënave të publikuara nga Monitor, bazuar në përllogaritjet e një agjencie imobiliare për transaksionet e periudhës janar–qershor 2026, qiraja mesatare për apartamentet e tipologjive 1+1 dhe 2+1 në kryeqytet arriti në 721 euro në muaj.


Për apartamentet 1+1, qiraja mesatare ishte 590 euro në muaj, ndërsa për apartamentet 2+1 arriti në 954 euro. Në raport me pagën mesatare bruto prej rreth 90 mijë lekësh, qiraja mesatare prej 721 eurosh përfaqëson rreth 77% të të ardhurave bruto.


Diferencat e çmimeve mes zonave të Tiranës janë të konsiderueshme. Për apartamentet 1+1, qiratë mesatare deri në qershor varionin nga 320–350 euro në zonat periferike, deri në 830–850 euro në muaj në zonat pranë qendrës. Për apartamentet 2+1, çmimet varionin nga 450 euro në zonën e Freskut deri në 1,500 euro në muaj pranë stadiumit “Air Albania”.


Banesa private të pabanuara do të përdoren për strehim social

Projektligji parashikon gjithashtu zgjerimin e instrumenteve të subvencionimit të qirasë dhe aktivizimin e stokut privat të banesave të pabanuara. Përmes nenit 17, që shton nenin 39/1, AKTSS-së dhe njësive të vetëqeverisjes vendore u jepet mundësia të identifikojnë dhe të kontraktojnë banesa private të pabanuara për qëllime të strehimit social dhe të përballueshëm.


Marrëveshjet me pronarët mund të përfshijnë qira afatmesme ose afatgjata, garanci për pagesën e qirasë, mbulimin e pjesshëm të kostove të mirëmbajtjes ose rehabilitimit, si dhe administrimin e banesës. Kriteret, procedurat dhe format e financimit do të përcaktohen me akt nënligjor.

Ndërkohë, neni 18 i projektligjit shton një program të posaçëm për subvencionimin e qirasë për kategori të veçanta, duke parashikuar përdorimin e një platforme elektronike për regjistrimin e banesave, aplikimin dhe administrimin e procedurave.


Programet e propozuara synojnë të krijojnë alternativa të reja për sigurimin e banesave, përmes kombinimit të subvencioneve të qirasë, kredive me interes të subvencionuar, garancive financiare dhe mundësisë së kalimit nga qiramarrja në pronësi. Zbatimi i tyre do të varet nga miratimi i ndryshimeve ligjore dhe përcaktimi i kritereve dhe procedurave përkatëse.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat